Së shpejti vjen Volkswagen Passat i ri në version sportiv[Foto Galery]

Gjiganti gjerman Volkswagen do të prezantojë në panairin e veturave në Detroit, i cili mbahet nga 13 deri 28 janar, Passatin në version sportiv – GT.

Passat GT ka linja sportive si dhe disa ndryshime në interier dhe eksterier. Po ashtu, do të vijë me dritat standarde LED.

Maska e përparme me ngjyrë të zezë ka zëvendësuar maskën standarde dhe e gjithë kjo është inkorporuar në kuadër të linjës së kuqe karakteristike për serinë VW GT, transmeton KosovaPress.

Gjithashtu, Passati i ri në version sportiv është i pajisur me paketën e avancuar teknologjike, e cila përfshin Apple CarPlay, Android Auto, Volkswagen Car-Net App Connect dhe dy porte për USB.

Volkswagen Passat GT do të ketë motorin standard 3.6-litër VR6 me kapacitet prej 283 kuajfuqi, në kombinim me marshin automatik DSG Tiptronic prej gjashtë shpejtësive, me komandën në timon për metodën manuale.

Sipas fabrikës, Passat GT shpenzon mesatarisht 8.4-litër në 100 kilometra në rrugë të hapur dhe rreth 12.3-litër në 100 km në rrugët e qytetit.

Passat GT, po ashtu, do të prodhohet në seri të kufizuar dhe do të jetë në dispozicion me katër ngjyra: bardh, kuq, argjend dhe gri.

Çmimi i Volkswagen Passat GT në SHBA do të jetë 29,940 dollarë, ndërsa shitja e tij pritet të fillojë në pranverë./koha.net