Pas votës kundër, Trump i shkurton buxhetin OKB-së me 285 milionë dollarë

Nikki_Haley-123

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley deklaroi të dielën, 24 dhjetor, se SHBA ka negociuar një shkurtim fondesh prej 285 milionë dollarë  për OKB vitin e ardhshëm

“Nuk do të lejojmë që të përfitohet nga gjeneroziteti i popullit amerikan. Ineficenca dhe shpenzimet e tepërta të Kombeve të Bashkuara janë shumë të njohura” deklaroi ambasadorja Nikki Haley.

Haley shtoi se reduktimi historik i shpenzimeve është hapi i duhur në drejtimin e duhur dhe se SHBA do të bëjë shumë lëvizje të tjera drejt një OKB më efikase dhe më të përgjegjshëm.

Marrëveshja e re për vitin fiskal 2018-2019 është 285 milionë dollarë më pak se buxheti i organizatës botërore prej 5.4 miliard $ për vitin fiskal 2016-2017.

Ambasadorja tha se shpresonte të ndihmonte të reduktonte më shumë buxhetin për OKB vitet e ardhshme.

Më 21 dhjetor Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë që hidhte poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA. Në mbyllje të votimit, 128 vende u shprehën pro rezolutës, 9 kundër dhe 35 abstenuan. Shqipëria votoi pro rezolutës.

“Shtetet e Bashkuara do ta kujtojnë këtë ditë në të cilën u veçuan për t’u sulmuar në Asamblenë e Përgjithshme për vetë aktin e ushtrimit të së drejtës sonë si vend sovran”, tha ambasadorja e SHBA Nikki Haley në komentet e bëra në sallën e mbushur plot më 21 dhjetorit.

“Ne do ta kujtojmë këtë kur të na kërkohet përsëri të japim kontributin tonë në Kombet e Bashkuara, më i madhi në botë; do ta kujtojmë gjithashtu kur shumë vende të vijnë e të na kërkojnë, siç bëjnë aq shpesh, që ne të paguajmë akoma më shumë dhe të përdorim ndikimin tonë në dobi të tyre”, shtoi zonja Haley./Ora News